Apolonia/ Skuadra është përqendruar plotësisht te sfida e radhës ndaj Elbasanit

21-11-2008

  • Spaho do tri pikët për tifozerinë

 

E gjithë vëmendja e skuadrës së Apolonisë tashmë është shkëputur nga fitorja e arritur javën e kaluar ndaj Besës dhe është përqendruar plotësisht te sfida e së dielës, që fierakët do të zhvillojnë në shtëpinë e tyre ndaj skuadrës së Elbasanit. Një përballje e parashikuar si mjaft e vështirë dhe delikate për të dyja skuadrat, bazuar në objektivat dhe pretendimet që kanë të dy kampet. Apolonia për të vazhduar serinë e rezultateve positive të nisura javën e kaluar me fitoren ndaj Besës me qëllimin që të mos lëshojë në shtëpi e të ngjitet sa më lart në klasifikim, ndërsa Elbasani për t’iu rikthyer rezultateve pozitive dhe për të synuar vendet e kreut. Në këto kushte, kontingjenti i ekipit fierak nën drejtimin e trajnerit, Karishik, i është nënshtruar përgatitjeve intensive qoftë në planin taktik dhe fizik, ashtu edhe në atë psikologjik. Për t’u theksuar është se gjatë këtyre ditëve në seancat stërvitore të zhvilluara, gjërat kanë shkuar mjaft mirë dhe me ritmet e kërkuara dhe sipas parashikimeve të stafit teknik. Skuadra e ka lënë pas krahëve fitoren e javës së kaluar ndaj Besës dhe ka vazhduar e qetë, me këmbë në tokë dhe pa eufori e përqendruar tërësisht te sfida e së dielës me Elbasanin. Fierakët në ndeshjen ndaj verdhebluve do të nisin fazën e dytë dhe kërkojnë me çdo kusht që të realizojnë një start pozitiv. Ata shpresojnë dhe besojnë se do të ruajnë ritmin e ndeshjes së fundit me Besën dhe në përballjen e së dielës kërkojnë të dalin fitimtarë ndaj Elbasanit dhe të sigurojnë tri pikët e mundshme. “Fazën e parë e nisëm me barazim, ndërsa këtë fazë ku ekipi është forcuar e rritur ndjeshëm në lojën e tij, synimi ynë i vetëm është që ta fillojmë me fitore. Ndaj Elbasanit nuk do të jetë e lehtë, por një ndeshje mjaft e fortë dhe për këtë, ne po vazhdojmë të përgatitemi sa më mirë që të jetë e mundur. Objektivi ynë kryesor është që të shfaqim sa më mire në fushën e lojës vlerat tona maksimale dhe t’i vënë ato si duhet në shërbim të lojës kolektive. Kështu që dëshira, motivimi dhe përqendrimi është shumë i madh, në mënyrë që të kënaqim edhe sportdashësit tanë të zjarrtë, të cilët na kanë përkrahur e inkurajuar si duhet dhe në ditët e vështira që kemi kaluar. Duhet t’i dhurojmë atyre një tjetër lojë të bukur dhe një tjetër fitore mbresëlënëse pas asaj ndaj Besës”, deklaroi mbrojtësi i Apolonisë, Nerjon Spaho.

 

STATISTIKAT E FIERAKËVE


Apolonia në fazën e parë arriti 3 fitore, me Lushnjen, Partizanin dhe Besën. Barazoi në dy ndeshje, përkatësisht me Elbasanin e Flamurtarin dhe pësoi 6 humbje ndaj Vllaznisë, Tiranës, Bylisit, Teutës, Dinamos dhe Shkumbinit. Skuadra fierake realizoi në 11 ndeshje 9 gola ose mesatarisht 0.8 gola për ndeshje dhe pësoi 13 gola ose mesatarisht 1.1 gola për ndeshje. Golashënuesi më I mirë i skuadrës së Apolonisë në fazën e parë të kampionatit është sulmuesi serb Bërkiç me tre gola të shënuar. Në 11 javë, skuadra e Apolonisë grumbulloi 11 pikë dhe e mbylli fazën e parë në vendin e 10-të të klasifikimit.


Marre nga : Panorama Sport

5 / 5 (1 Vota)




Emri i Plote:
Email:
Tema:
KOMENTI JUAJ: (keni vetem 1300 karaktere per te shkruar komentin tuaj)



 


© 2002-2009 Fieri.Com - Portali Fierak Online LLC.,   Te gjitha te drejtat e rezervuara  -  All rights reserved.
  Freskuar:: Wed, 24 Dec 2008 23:51:00

©Vizitore Online - 2
Max vizitore - 5
 

PHPCow news publishing script, content management systemIndrit Design Studio iPowerWeb