Apolonia-Elbasani 2-2/Dhrami befason verdheblutë

24-11-2008

Trajneri i Apollonise, Esat Karishik
  • Skuadra e drejtuar nga serbi Karishik vazhdon serinë positive

 

 

Ekipi i Apolonisë ka barazuar me Elbasanin në shtëpinë e vet me rezultatin 2-2. Ashtu si edhe në fazën e parë, të dyja ekipet nuk kanë shkuar më larg se barazimi, por kësaj here me gola. Siç deklaruan edhe trajnerët, pas ndeshjes rezultati i arritur ishte më i drejti i kësaj përballje të vështirë. Takimi filloi i qetë për të dyja skuadrat, të cilat dukej sikur studionin njëra–tjetrën dhe për minuta të tëra u luajt në mesfushë pa ngacmuar portat respektive. Pas minutës së 6, janë fierakët ata që kërkojnë të marrin frenat e lojës dhe t’i japin asaj theks sulmues, duke hedhur shpesh vështrimin në drejtim të portierit Osmani. Ndërkohë sulmuesit fierakë ndeshën në një mbrojtje të ngjeshur e të rreshtuar mirë të skuadrës elbasanase, që nuk lejuan hapësirat e nevojshme për të manovruar brenda zonës dhe për të goditur portën e tyre. Megjithatë, në minutën e 27 Kelmendi manovron bukur nga krahu i djathtë, harkon në zonë dhe aty Junior i shpëton mbulimit të mbrojtësve miq, gjuan me kokë me saktësi dhe e dërgon topin në rrjetë, duke e kaluar ekipin e tij në avantazh. Apolonia në këtë përballje duket se ka dobësi në qendër të mbrojtjes. Mungesa e liderit, Shoshi, ndihet dukshëm dhe këtë e shfrytëzojnë mjaft mirë futbollistët  elbasanas, të cilët në minutën e 41 arrijnë të shënojnë me anë të Bejzades, duke barazuar rezultatin. Pjesa e parë përfundon me rezultatin e barabartë 1-1. E dyta fillon më e mirë dhe me ritëm më të lartë për futbollistët miq, të cilët i japin lojës së tyre theks sulmues dhe që në minutën e 4 të kësaj pjese, arrijnë të shënojnë golin e dytë me anë të Abazajt, duke kaluar kështu në avantazh. Mbas këtij momenti vendësit organizohen më mirë në mesfushë, luftojnë fort për topin e parë dhe u japin mundësi sulmuesve që të krijojnë disa raste shënimi. Në minutën e 72- të sulmuesi Dhrami, i aktivizuar në këtë pjesë loje në vend të kapitenit Asllani, ndërmerr një aksion personal, të cilin e finalizon po vetë, duke shënuar golin e barazimit. Ky gol rriti ndjeshëm optimizmin e fierakëve, që në minutat e mbetura kërkuan të shënojnë edhe golin e fitores, por nuk ia arritën dot qëllimit, pasi sulmuesit i shpërdoruan rastet e krijuara. Ndërkohë, edhe portieri elbasanas, Osmani, është në një ditë të mirë dhe i tregon si duhet vlerat e tij, duke neutralizuar disa gjuajtje të vendësve, të cilët kërkonin golin me çdo kusht. Ndeshja u mbyll me barazim 2-2, që ishte dhe rezultati më i drejtë, duke u nisur edhe nga loja e zhvilluar nga të dyja skuadrat. Kjo ndeshje u karakterizua nga një Fair–Play i vërtetë midis lojtarëve në fushë, por edhe nga tifozët që kishin mbushur shkallët e stadiumit, gjë për të cilën duhet thënë se ndikoi dhe gjykimi i treshes lezhjane.


Marre nga : Panorama Sport

5 / 5 (2 Vota)




Emri i Plote:
Email:
Tema:
KOMENTI JUAJ: (keni vetem 1300 karaktere per te shkruar komentin tuaj)



 


© 2002-2009 Fieri.Com - Portali Fierak Online LLC.,   Te gjitha te drejtat e rezervuara  -  All rights reserved.
  Freskuar:: Wed, 24 Dec 2008 23:51:00

©Vizitore Online - 2
Max vizitore - 5
 

PHPCow news publishing script, content management systemIndrit Design Studio iPowerWeb