Ndeshja derbi e Myzeqesë, Lushnja-Apolonia, luajtur të shtunën në stadiumin “Roza Haxhiu”, e fituar nga vendasit 3-1, ka shënuar edhe një incident të rëndë. Konkretisht, kapiteni i fierakëve, Maringlen Shoshi, është goditur me tullë në kokë gjatë momentit kur Apolonia po i gëzohej golit të barazimit momental 1-1, në vijën anësore te fushës, ku gjendeshin tifozët lushnjarë. Në fakt aty për aty ka qenë disi e pakuptueshme, kur është parë që Shoshi të shtrihej në tokë, sepse vëmendja ishte përqëndruar te mesi i fushës, ku lojarët vendas kishin vënë topin për të rinisur lojën, ashtu sikurse edhe gjyqtari. Por, shokët e Shoshit, kur kanë parë të gjakosur kapitenin e tyre, kanë kërkuar ndihmën e mjekut të skuadrës, i cili ka vajtur menjëherë, duke konstatuar goditjen në anën e majtë të kokës, afër tëmthit, me një send të fortë, gjysëm tulle. Ka bërë cmos që ta ndalojë gjakrrjedhjen e lojtarit në fjalë, por e cara ka qenë e madhe, kështu që i është dashur një trajtim i specializuar mjekësor kapitenit Shoshi. Në këto kushte, stafi i Apolonisë e ka dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjës, ku ka marrë edhe ndihmën e duhur. E cara është qepur tri herë, ndërkohë që kapiteni i fierakëve ka qëndruar deri në mbrëmje nën kontrollin e mjekëve, pasi tronditja ishte e madhe, si pasojë e goditjes në një vend mjaft delikat, në kokë. Një incident i tillë ka alarmuar drejtuesit e klubit fierak, të cilët e kanë reklamuar atë tek drejtuesit e FSHF-së, ndërkohë që organizatorët e ndeshjes, lushnjarët, kanë ngritur një alibi tjetër, sipas së cilës, Shoshi është ngjitur në rrethimin e stadiumit duke festuar golin e barazimit 1-1, cka ka bërë që një pjesë e rrjetës prej hekuri të shkëputet dhe t’i bjerë në kokë, duke i shkaktuar edhe plagën dhe gjakrrjedhje. Tashmë mbetet që sqarohet zyrtarisht incidenti në fjalë, prej gjyqtarit dhe vëzhguesit të ndeshjes.
Marre nga: Sporti Shqiptar