ENVER SKENDAJ: -Suksesi do vetëm punë dhe vullnet për t’i bërë ballë punës!
10-11-2008
Intervistë me z. Enver Skëndaj, “Nderi i Qarkut Fier”, profesor i Fizikës në gjimnazin jo-publik “Numani”.
Nuk është e vështirë ta takosh Enver Skëndajn, profesorin e fizikës i cili ka kaluar një jetë të tërë mes të rinjsh, nxënës gjimnazesh dhe studentë të Filialit. Atë e gjen fare lehtë në mjediset e shkollës jo-publike “Numani” (Fier), pranë nxënësve të tij. Por nuk është dhe aq e lehtë ta njohësh menjëherë tek ai përmasën e njeriut me një zemër shumë të ndjeshme e të sinqertë dhe atë të intelektualit disi të heshtur, por të palodhur, i cili për vite e vite u ka shërbyer të tjerëve, do thosha më shumë sesa vetvetes.
Me profesor Enverin unë u njoha nja dy vite më parë, kur ai erdhi për lëndën e fizikës në gjimnazin “Numani”, ku dhe unë punoj për lëndën e gjuhës dhe të letërsisë që prej katër vitesh. Ajo që më ka bërë përshtypje menjëherë tek ai qe serioziteti dhe sinqeriteti në marrëdhënie me kolegët dhe me nxënësit, pastaj thjeshtësia dhe sidomos asketizmi i tij si prej murgu. Që në ditët e para të kësaj njohjeje do të mësohesha duke e parë profesor Enverin në çdo moment kohe të lirë të zhytur në një mori fletoresh e librash, ku rrinte i përpirë me një përqendrim të atillë sa zor të t’i hidhte sytë as kur i qaseshe në sallën e personelit. Aso kohe unë ende i rrija disi larg, sepse ende s’më ishte dhënë mirë rasti për ta shkëputur nga natyra e tij e zhytur në punët e tij dhe për të biseduar diçka me të përballë, ulur diku në një tavolinë kafeneje duke ngjëruar kafè.
Tashmë e kam të pamundur të krijoj një ide të qartë se ç’mund të ketë menduar dhe ai në atë kohë për mua, duke llogaritur atë largësinë e moshës dhe të specialiteteve që na ndanin. Gjithësesi, shumë shpejt erdhi një ditë dhe atë hapin për të pirë kafenë, erdhi puna dhe e hodhi vetë profesori. Atë mëngjes kishte dalë një koment i imi në “Shekulli” dhe ai, si ndjekës i rregullt i shtypit periodik (gjë që e mësova vetëm në ato momente), ishte ngazëlluar kur e kishte lexuar. S’e harroj entuziazmin e tij të atij mëngjesi, kur u takuam më pas në punë...
Dhe që nga ajo kohë zbulova tek profesori njeriun që jo vetëm rrinte zhytur në teorema dhe formula të pafund fizike, por edhe kolegun e dashur e madje hokatar hera-herës, i cili s’mërzitej duke biseduar edhe për letërsinë, folklorin, historinë apo për problemet sociale të ditës. Duke parë respektin e nxënësve, të kolegëve, të prindërve të nxënësve që vinin dhe e takonin, duke dëgjuar zërin e ndërgjegjes së tij dhe me besimin e plotë se një intervistë do të ishte shumë pak për emrin e tij, por si fillim diçka e domosdoshme, u shtyva për ta bërë një gjë të tillë që qytetari fierak dhe më tej të mund njohë diçka më shumë nga jeta e këtij njeriu, i cili fatmirësisht tashmë është vlerësuar edhe institucionalisht me titullin “Qytetar Nderi i Qarkut”.
P. Nika: - Profesor Enveri, ju keni një jetë të tërë që e keni kaluar në shërbim të arsimit në qytetin e Fierit. Në fillim do donim të dinim diçka për të kaluarën tuaj të largët, në fëmijëri. Pra, cili ka qenë Enver Skëndaj përpara se të bëhej një mësues i nderuar për qytetin e tij. Sigurisht diçka që ka të bëjë me arsimimin tuaj dhe me ëndrrat e hershme të rinisë.
E. Skëndaj: - Fëmijëria ime ka qenë e vështirë nga ana ekonomike. Ishin vitet “50, Shqipëria ende s’ishte stabilizuar. Kjo gjë influenconte shumë tek njerëzit, sigurisht edhe tek unë që aso kohe s’isha veçse një fëmijë. Ajo që më ka pëlqyer më shumë që atëherë qe humori, në shkollë si nxënës, mandej me kolektivat ku kam punuar. Shkolla jonë e parë pati qenë një barangë e vjetër e ushtrisë italiane.
Aty kam mbaruar shkollën 7 - vjeçare. Kjo përkon diku me vitin 1955. Shkollën e mesme (gjimnaz) pastaj e kam mbaruar në Vlorë, në vitin 1959. Në vitin 1963 mbarova Universitetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, duke mbrojtur diplomën në degën e Fizikës. Në fakt, kur filluam fizikën, ishim futur me idenë e industrisë, për të punuar në industri, por rrethanat e kohës e sollën që të kaloja në arsim.
Isha shumë i ri kur u emërova mësues në gjimnaz. Nxënësit e mi të parë kanë qenë ata me të cilët gjatë adoleshencës luaja. Pavarësisht moshës pothuaj të njëjtë (diferencë 3 vjeçare) ata më respektonin duke e pranuar statusin tim të ri, tashmë prej edukatori. Që në fillim jam caktuar të jap në maturë. Një pjesë të madhe mësuesish që punojnë sot në rrethin e Fierit, i kam pasur nxënës. Siç e përmenda edhe më lart, ëndërra ime e parë pati qenë inxhinieria. Por nxënësit me rezultate të larta i zgjidhnin vetë për matematikë ose fizikë.
Kur mbarova vitin e fundit të gjimnazit, m’u dha e drejta për të studiuar jashte shtetit. Mbasi isha nisur, më hoqën të drejtën e këtyre studimeve, pasi kisha shkuar deri në aeroport, për arsye politike. Mbas diplomimit punova për katër vjet në gjimnazin “Janaq Kilica”, ku ndonëse i ri në punë, jam lavdëruar si mësues i dalluar. Në këtë kohë hapet Filiali i Universitetit të Tiranës në Fier, me disa specialitete si, Inxhinieri Nafte, Inxhinieri Kimike, si dhe Fakulteti Pedagogjik. Aty kam punuar pedagog për tetë vjet, pra, për aq kohë sa Filiali qëndroi i hapur. Stafi ynë ishte shumë i ngritur shkencërisht. Mbas mbylljes së Filialit, pasi kisha fituar dhe një eksperiencë shkencore shumë të madhe, kam punuar në shkollën e mesme industriale “Petro Sota”, e cila u bë atëkohë një ndër shkollat më të mira të Republikës. Kishte staf të përzgjedhur, kishte trashëguar gjithashtu edhe bazën laboratorike të Filialit. Në vitet “90 jam kthyer përsëri në gjimnazin “Janaq Kilica”, ku në rini e pata filluar karrierën. Kësaj rradhe për të dalë në pension. Kur u lagova nga kjo shkollë, u pezullua mësimi për një javë nga nxënësit.
P. Nika: - Me sa shoh vitet e gjata në arsim, ende s’e kanë zbehur pasionin tuaj për punën me nxënësit. Ju fatmirësisht ende vazhdoni të punoni me zell për t’u patur zili, madje vazhdoni të jeni një mësues i suksesshëm. A mund të na i bëni me dije disa prej momenteve kur gjatë karrierës suaj i’u ka bëzëqeshur suksesi?
E. Skëndaj: - Habitem me veten. Kam punuar vërtetë gjatë dhe sot s’e di sesi jam mbajtur. S’e njoh pushimin. Kështu e solli puna. Në Filial studioja. Në industriale po. Një koleg thoshte për mua: “Ky është një çirak i shkëlqyer.” Epra, dhe nuk kam munguar asnjëherë në punë. Përjashto vetëm njëherë, këtu e shumë vite të shkuara, kur mungova nja 15 ditë i lënduar me regjim shtrati nga një grip i rëndë. Përsa i përket suksesit tim, janë ata që kanë dalë inxhinierë, pra nxënësit e mi të dikurshëm, ata që e kanë garantuar suksesin. Besimi i prindërve për t’i lënë fëmijët e tyre nën kujdesin tim është një sukses tjetër. Nxënës të mi kanë arritur të shkojnë për të studiuar në universitete të botës dhe janë studentë të sikseshëm e të nderuar atje ku kanë shkuar. Kam fituar me nxënësit e mi tre çmime të para Republike në olimpiada. Në Fier kam qenë pothuaj përherë i pari. Nxënësit e mi kanë qenë në lëndën e Fizikës ndër më të privilegjuarit e çmimeve në Republikë. Për këtë kam patur edhe letra falënderimi nga ish nxënes të mi, tashmë studentë në vende të huaja, madje dhe nga profesorë të tyre nga Amerika, Anglia dhe Italia.
P. Nika: - Po nëse flasim për humbje, kë do të etiketonit si të tillë?
E. Skëndaj: - Nuk di ç’të them. Nuk kam patur humbje në arsim. Atë që kërkova në arsim e kam arritur. Nëse do ta quaj humbje, për mua ka qenë e tillë vlerësimi i shtetit kundrejt meje. Nga ana e shtetit reagimi për punën time të gjatë dhe kaq cilësore në përgatitjen e brezave ka qenë zero. Nxënësit e mi për vite të tëra kanë fituar çmime të para në rreth, apo në shkallë kombëtare, ndërsa mua deri sot nuk më është dhënë asnjë titull. Këtë gjë s’di si ta shpjegoj, ndërkohë që plot te tjere ne nivele me te uleta e kanë patur fatin ta gëzojnë një gjë të tillë.
Në diktaturë s’më linte biografia politike, në demokraci shtetit i mungoi kurajoja. Por nëse ky është një dështim, këtë le ta mbajë shteti për vete. Janë nxënësit, prindërit e tyre dhe mbarë komuniteti që e ka vlerësuar si duhet punën time dhe sakrificat e mëdha. Vlerësimin më të madh ma ka dhënë vetë qytetari fierak. Besoj e keni vënë re. Këshilli i Qarkut Fier këtë vit më ka nderuar me një titull që më bën akoma më shumë përgjegjës për sipërmarrjet e mia kundrejt bashkëqytetarëve të mi. E kam fjalën për titullin “Qytetar Nderi i Qarkut” që m’u deklarua këtë vit.
P. Nika: - Po. Për mua është shumë i njohur ky fakt. Një problem kyç i mbarëvajtjes së punëve në shkollë është ndërkomunikimi mësues - nxënës dhe mësues - prind. Cilat kanë qenë raportet tuaja si mësues me komponentët përkatës?
E. Skëndaj: - Në fillim nuk besoja se do isha një njeri i prerë për t’u bërë arsimtar. Dëshira ime qe për ixhinierinë. Por bagazhi kulturor është ai që të siguron suksesin si mësues. Vite më vonë, gjatë punës, e zbulova se kisha qenë i prerë për këtë punë. Si rrjedhojë raportet tona kanë qenë të shkëlqyera.
P. Nika: - Së fundi ju jeni pjesë e stafit pedagogjik të shkollës së mesme jopublike “Numani”. Për mua, si pjesë e këtij stafi, të punoj me juve përkrah është kënaqësi. Cili është komenti juaj për stafin tonë pedagogjik dhe për ardhmërinë e punës sonë tek brezi që kemi në duar?
E. Skëndaj: - Në radhë të parë kolegët tanë janë intelektualë me kulturë dhe njerëz të dashur e të nderuar. Shkolla është me infrastrukturë të re. Mësuesit janë të preokupuar. Rrojnë me mendimin te nxënësit. Përpiqen të bëjnë më të mirën për ta. Ka nxënës të mirë dhe rezultatet e punës sonë besoj të jenë të larta. Ata e kanë treguar një gjë të tillë në ballafaqimet që kanë patur me nxënës të shkollave të tjera të rrethit. Ju sugjeroj nxënësve që të lexojnë sa më shume literaturë artistike, sepse kjo i formon shumë në rrugën e qytetarisë. I bën gjithashtu të gatshëm të vetedukohen dhe të kenë kurajo për të kapur me shkathtësi edhe lëndë të tjera të karakterit shkencor.
P. Nika: - Ju për këtë vit shkollor rezultoni të jeni mësuesi më i suksesshëm i fizikës në Fier. Konstatimi ynë vjen pasi nxënësja juaj e talentuar Enrida Muçaj, vitin e kaluar zuri vendin e parë në rreth në Olimpiadën e Fizikës. A mund t’ia bëjmë të njohur lexuesit tonë çelësin e këtij suksesi?
E. Skëndaj: - Të marrësh pjesë në një Olimpiadë, kërkon punë shumë të madhe nga të dyja palët - mësues dhe nxënës. Nxënësit disa herë i shmangen kësaj ngarkese, por harrojnë se pavarësisht se kanë fituar një çmim moral për paraqitjen e tyre dinjitoze në lëndën që përfaqësojnë në Olimpiadë, kanë fituar ndërkohë një çmim tjetër akoma më të madh, që është pregaditja për të qenë të aftë që të konkurojë gjithmonë për majat. Këtë të dytën do u duhen vite që ta kuptojnë. Pse? Është aftësimi për të qenë këmbëngulës, pregaditja për t’u bërë ballë sfidave të konkurencës. Sot e kësaj dite më falënderojnë nxënësit me të cilët kam shkuar në Olimpiada. Ata janë sot në SHBA, në Angli, Francë, Itali etj.
Jam ndjerë keq kur ka qëlluar dhe s’kam fituar, por jo për vete, por kur nxënësit e mi me të cilët isha përfaqësuar, vinin dhe më qanin hallin se u vinte keq për mua që s’e kishin prekur dot fitoren. Edhe Enrida, në fillim hezitoi, por më vonë u entuziazmua si nxënëse dhe filloi ta pëlqejë këtë sipërmarrje tepër të lodhshme. Duke patur edhe rezultatet shumë të mira në matematikë, ajo e pati më të lehtë. Duhet vetëm punë, punë dhe vullnet për t’i bërë ballë punës.
P. Nika: - Atëherë ju falënderojmë për intervistën dhe iu urojmë suksese të mëtejshme!
--------------------------------------------------
» Data: 20-12-2008
» Emri i Plote: Elsajed Harizaj
» Mesazhi: Shume urime per titullin e ri. Eshte nje kenaqesi per te gjithe nxenesit dhe ish nxenesit tuaj (manushaqet dhe preshat sic i ngacmoni me humor) te mburen qe petagogu i preferuar nder tituj shkencor mban dhe titullin Qytetar Nderi. Jo te gjithe nxenesit e kane kete fat. Profesor shume faleminderit per pasionin, kemnguljen qe keni treguar ne edukimin tone profesional.
Me Respect
Elsajedi
--------------------------------------------------
» Data: 20-12-2008
» Emri i Plote: Majlinda Iljazi
» Mesazhi: Pergezime per titullin qe keni marre si Qytetar nderi i qarkut por kjo nuk eshte e mjaftueshme sepse pasioni i madh dhe puna juaj qe keni bere ne vite dhe po beni si mesues duhet te vleresohet edhe me STIMUJ MATERIAL nga organet e rethit apo te qeverise. Une kam qene nxenese e matures 1984-1985 si dhe ne klasen kujdestari prej 4 vjetesh dhe kurre nuk mund te harroj oret e fizikes ku cdo term fizik per tju bere sa me te qarte nxenesve dhe me e lehte , profesor Enveri e demonstronte me eksperimentet perkatese , ku kabineti i fizikes ishte me i pasuri me instrumentet ne reth e Fierit besoj. Dhe kjo i dedikohej punes se palodhur dhe pasionit te profesor Enverit. Me respekt dhe urime nga pertej oqeanit TORONTO,
Nxenesja juaj,
Majinda Iljazi
--------------------------------------------------
» Data: 05-12-2008
» Emri i Plote: Suzana Numani
» Mesazhi: Pershendetje Profesor , Ju jeni vertet per tu mare shembull. Eshte fat qe punojme bashke. Ju vlersojme per fisnikerine, mencurine, pasionin dhe perkushtimin e madh ne punen tuaj te madhe per arsimimin e brezit te ri. Eshte me fat kush eshte nxenesi dhe kolegu juaj. Shume urime dhe mbetsh me po ate gjalleri dhe vitalitet. Zana Numani
--------------------------------------------------
» Data: 29-11-2008
» Emri i Plote: Gerti Dhima
» Mesazhi: Pershendetje Profesor Enveri!
Ne rradhe te pare, me behet jashtezakonisht qefi te mesoj se jeni nderuar me titullin Qytetar Nderi i Qarkut. Jam i bindur se ky titull eshte vleresimi me minimal qe mund ti behet punes suaj nder vite per edukimin e brezave. Ne te njejten kohe, ky titull shpreh vleresimin dhe falenderimin qe qytetaret e Fierit, nxenesit dhe prinderit kane per ju. Me lejoni qe nepermjet ketij mesazhi dhe une t'ju falenderoj perzemersisht per punen e palodhur qe keni kryer kundrejt meje gjate 4 viteve te gjimnazit. Fale kembenguljes dhe ndihmes tuaj te perhershme, une arrita te vleresohesha me cmim ne Olimpiaden e Fizikes ne shkalle qarku dhe republike. Njohurite dhe keshillat e perfituara nga ju, me jane te vlefshme edhe sot si student ne ingjinieri telekomunikacioni.
Ju faleminderit edhe nje here dhe ju uroj suksese te vazhdueshme.
Me respekt ish-nxenesi juaj ne maturen 2005
Gerti Dhima
--------------------------------------------------
» Data: 20-11-2008
» Emri i Plote: Suat Hysi
» Mesazhi: Shkruaj nga larg ,nga Florida e Amerikes dhe s'para i lexoj lajmet e me gjithese me vonese dua dhe une ta falenderoje Profesor Enverin nga ana ime se eshte e vertete per ato qe thote .Une e kisha profesor fizike ne Industriale e dua ta falenderoje se tani qe vazhdoje kolegjin ketu ,ato sa na ka mesuar Ai atehere qene nje ndihme e madhe per mua te dale me A ne kete kurse ,megjithese atehere une nuk ishja nje student shume i mire ,por ai dinte te ndihmonte derisa sa ta kuptoje.Se ai si mesues ishte me shume praktik per ne nxenesit.
E falenderoje nga ana ime e ishja me fate qe kishja nje mesues si ai e me fat kane qene besoje te gjithe e nuk e di ne do kete ndonje qe te flase keq per te .
Gjithmone i nderuar qofte!(PS)Se ishja i shkurter e me theriste Bebe,por une nuk merzitesha ,por me shume e respektoja .
Suat Hysi
ST.Petersburg,FL,USA
--------------------------------------------------
» Data: 19-11-2008
» Emri i Plote: Edmond Ismaili
» Mesazhi: Pershendetje profesor Enveri.Pergezimet tona ne vleresimin qe qyteti yne me merite ju akordoi.Sakrificat, Pasioni dhe Perkushtimi ne trasmetimin e gjithckaje pozitive me menyren tuaj unike te edukimit dhe mesimdhenies meritojne shume me teper.Gjithsesi respekti dhe mirenjohja e gjithsecilit qe ju njeh,jane pasuri e pacmushme te cilat ju ulin ju ne panteonin e nderit per cdo brez te dale nga dyert e klasave tuaja.
Me respekt e mirenjohje e me shprese te takohemi se shpejti,
Edmond Ismaili dhe bashkeshortja Arjana (nxenes te matures 84, P. Sota)
--------------------------------------------------
» Data: 18-11-2008
» Emri i Plote: Edmond Ismaili
» Mesazhi: Pershendetje profesor Enveri.Pergezimet tona ne vleresimin qe qyteti yne me merite ju akordoi.Sakrificat, Pasioni dhe Perkushtimi ne trasmetimin e gjithckaje pozitive me menyren tuaj unike te edukimit dhe mesimdhenies meritojne shume me teper.Gjithsesi respekti dhe mirenjohja e gjithsecilit qe ju njeh,jane pasuri e pacmushme te cilat ju ulin ju ne panteonin e nderit per cdo brez te dale nga dyert e klasave tuaja.
Me respekt e mirenjohje e me shprese te takohemi se shpejti,
Edmond Ismaili dhe bashkeshortja Arjana (nxenes te matures 84, P. Sota)
--------------------------------------------------
» Data: 16-11-2008
» Emri i Plote: rajmond mecaj
» Mesazhi: profesor Enveri, vazhdo keshtu se je i madh!
--------------------------------------------------
» Data: 13-11-2008
» Emri i Plote: Perparim Hysi
» Mesazhi: E pershendes Enver Skendajn qe nga larg:nga Florida.Me behet qejfi qe eshte vital ende dhe si koleg dhe mik i tij, i uroj jo vetem shendet,por edhe suksese ne punen e tij fisnike. Nga ana tjeter,me vjen mire qe eshte nderuar nga Qarku se e ka merituar prej kohesh.
Perqafime miku,
Perparim Hysi,Florida, 13 nentor 2008
--------------------------------------------------
» Data: 10-11-2008
» Emri i Plote: Indrit Sulaj
» Mesazhi: Me behet shume qefi dhe e kam per nder te shkruaj urimin tim per profeson Enverin. Ndoshta ne rjedhen e gjate te viteve numri i nxenesve te tij eshte i madh por sidoqofte uroj qe ne memorjen e tij te shfaqet edhe nje tjeter nxenes i klases 4-E ne Gjimnazin Janaq Kilica ne vitet 1989-1993.
Respekt dhe urime ne punen tuaj te nderuar profeson Enveri.