|
06-11-2008
Të kaluarën e kemi të përbashkët, e ardhmja na do të bashkuar. Ne shqiptarët vetëm në të tashmen jemi të ndarë.
-
E kemi historinë e përbashkët si histori e rezistencës së përbashkët, e
vuajtjeve dhe arritjeve të përbashkëta, e kryengritjeve dhe luftërave
të përbashkëta çlirimtare. - I kemi karakteristikat e përbashkëta: gjuhën shqipe, kulturën, traditën, doket e zakonet, vazhdimësinë territoriale. - E kemi të përbashkët vullnetin për bashkim: - Referendumet e shqiptarëve do të na e mësonin atë që tashmë e dimë:
shqiptarët duan të jenë bashkë në një shtet të përbashkët. -
E kemi interesin e përbashkët ekonomik: dyfishimin e tregut që sjell
kushte më të mira për prodhim të brendshëm dhe investime nga jashtë. Aq
shpesh e kemi dëgjuar të flitet për mirëqenien e shqiptarëve me ç'rast
merret disi e mirëqenë qenia te kjo mirëqenie, mirëpo ne e dimë se ajo
mbetet e ndarë në shtete të ndryshme dhe e parealizuar. - E
kemi edhte interesin e përbashkët të sigurisë: shqiptarët e ndarë
paraqesin kafshata më të kollajshme për t'u kapërdirë nga Serbia e
Greqia, fashizmi i të cilave nuk u ndëshkua sikurse ai i Italisë (sa i
përket trevave të okupuara jashtë shteteve të tyre). Rrudhja e
territorit të shqiptarëve është bërë nga lindja, veriu e jugu. Nuk
është bërë vetëm nga ana e perëndimit, jo për shkak të perëndimit, por
për shkak të detit. Kur u njoh Shqipëria në Konferencën e Ambasadorëve
në Londër në vitin 1913, nga 1.850.000 banorë shqiptarë, vetëm 750.000
u bënë banorë të Shqipërisë, kurse të tjerët mbetën jashtë shtetit nën
mëshirën e regjimeve të huaja shtypëse.
Përveç
lidhjes së Prizrenit, projektet më të detajuara dhe gjithëpërfshirëse
për zgjidhjen e çështjes shqiptare i kishin Serbia e Greqia. Madje, kjo
s'varej as nga ideologjia që ishte në pushtet në ato vende. P.sh.
Partia Komuniste e Jugosllavisë në mbledhjen e dytë të AVNOJ-it, të
përfunduar me 28 nëntor 1943 në Jajce të Bosnjes, i ndau shqiptarët që
kishin mbetur jashtë Shqipërisë nëpër republika të ndryshme të sllavëve
të jugut: më shumë shqiptarë në Serbi sepse ajo ishte më e fuqishme,
mesatarisht eksploatimi i resurseve të shqiptarëve.
Edhe
sot e kësaj dite mbretëron një asimetri drastike e të drejtave: në
shtetet ku shqiptarët trajtohen si pakicë, ata kanë shumë më pak të
drejta sesa pakicat kombëtare në vendet ku shqiptarët janë shumicë. Kjo
asimetri, kjo mungesë e reciprocitetit i lë shqiptarët pa dinjitet
kolektiv (sidomos karshi fqinjve të tyre). Ky deficit i dinjitetit
kolektiv rezulton me inflacion të dinjiteteve të vetësforcuara
individuale, e që më së miri shihet te krerët e ndryshëm shqiptarë të
partive politike.
Në vend se të kemi politikë
shtetërore për shqiptarët kemi politika partiake për Shqipërinë. Elitat
politike janë të pasura përderisa kombi është i ndarë. Nuk mund të
gjeni politikanë të varfër, atyre thjesht, iu konvenon kjo gjendje.
Vetëcensura është aq e shprehur kur vie puna te bashkimi kombëtar saqë
jo vetëm që bashkimi kombëtar është vetëcensurë por edhe vetëcensura
është bashkim kombëtar. Diskutimi dhe afirmimi i bashkimit kombëtar të
ndihmon të çlirohesh nga vetëcensura si e tillë. Në anën tjetër, të
gjithë ne kemi dëgjuar të thuhet edhe që bashkimi kombëtar është utopi.
Mirëpo, ata që thonë kështu zakonisht angazhohen në forma të ndryshme
t'i pengojnë të gjitha organizimet apo individët që bëheshin qesharakë?
Rreziku që u kërcënohet shqiptarëve nuk është vetëm
fizik, nuk ka të bëjë vetëm me humbjen e territorit, të resurseve
natyrore dhe të ngushtimit të perspektivës ekonomike. Rreziku është
edhe shpirtëror: duan që Kosovën ta largojnë sa më shumë prej
Shqipërisë, ta forcojnë aspektin e pavarësisë së Kosovës që konsiston
në pavarësi nga Shqipëria, ta shkombëtarizojnë popullin shqiptar në
Kosovë duke imponuar idenë e kombit të paqenë kosovar. Kësisoj, në
Kosovë, në vend se të kemi proces të shtet-ndërtimit, kemi projekt të
komb-bërjes.
Më lejoni të përfundoj duke thënë se ose
do të bëhet Shqipëria etnike duke e përfshirë edhe Kosovën, ose e ndarë
nga Kosova edhe Shqipëria do të bëhet multietnike. Do të shpikin
minoritete edhe në Shqipëri, do të sajojnë minoritete vllehe, maqedone,
arumune, malazeze, rome, ndoshta edhe një minoritet të dytë grek e
kushedi se çka tjetër. Ndikimi ndërkombëtar do të rritet drejt një
sundimi joformal dhe përmbajtësor të tyre. Prandaj, ose do të na merrni
ju neve, ose do t'iu marrim ne juve. Unë them që më mirë të na merrni
ju në mënyrë që të bëhemi tamam ne - Ne Shqiptarët.
Shkruar nga Albin KURTI - 6/11/08 (Fjalim i mbajtur në tubimin me studentët e shkencave sociale të Universitetit të Tiranës, më 27 tetor 2008).
|
|